Sindroma e vezores policistike (PCOS polycystic ovarian syndrome) është një sëmundje hormonale gjinekologjike që shfaqet te gratë në moshën riprodhuese. Gratë me këtë sindromë shpesh kanë cikle menstruale të rralla ose të zgjatura, kanë nivele të larta të hormoneve mashkullore (androgjene) dhe shpesh kanë vezore me një numër të madh kistesh të vogla deri në 10 mm (folikula) që nuk arrijnë të lëshojnë qeliza vezore në mes të ciklit menstrual.
Shkaku i saktë i PCOS është i panjohur. Diagnoza dhe trajtimi i hershëm së bashku me rregullimin (kontrollin) e peshës trupore mund të zvogëlojnë rrezikun e komplikimeve afatgjata si diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.
Simptomat e PCOS shpesh shfaqen në adoleshencë, por ndonjëherë PCOS zhvillohet më vonë, për shembull, si rezultat i shtimit të konsiderueshëm i peshës trupore.
Simptomat e PCOS mund të ndryshojnë, por më të zakonshmet janë:
- Menstruacionet e parregullta – Ciklet menstruale të rralla, të parregullta ose të zgjatura janë ndër shenjat më të zakonshme të PCOS.
- Niveli i lartë i androgjenit – Qime në fytyrë dhe trup (hirsutizëm) dhe nganjëherë akne dhe humbje (rënie) e flokëve e tipit mashkullor.
- Vezoret policistike – Vezoret mund të jenë të zmadhuara, me një numër të madh të folikulave të paruptura, pra vezoret nuk funksionojnë normalisht. Shenjat dhe simptomat e PCOS janë zakonisht më të rënda nëse jeni mbipeshë.