Këngëtarja britanike me famë botërore Adele është në qendër të një rasti të ri të akuzave për vjedhje të të drejtave të autorit pasi dyshohet se përdori kompozimin e artistit brazilian të vitit 1995 për këngën e saj “Million Years Ago” pa leje. Një gjykatë në Brazil tani po kërkon që kënga e diskutueshme të hiqet nga të gjitha shërbimet e transmetimit.
Gjyqtari Victor Torres urdhëroi degët braziliane të kompanive “Sony” dhe “Universal” që “të ndalojnë menjëherë përdorimin e ri global, riprodhimin, modifikimin, shpërndarjen dhe komercializimin e këngës në të gjitha format” dhe ta heqin atë nga platformat dhe nga shitja.
Euronews raporton se kënga ishte në albumin “25” të Adelës dhe se ajo është paditur nga kompozitori brazilian Tonino Gerais, i cili pretendon se kënga “Million Years Ago” është plagjiaturë nga “Mulheres” e tij. Ajo këngë është regjistruar nga këngëtarja braziliane Mirtinho da Vila në albumin “Tá Delícia, Tá Gostoso”.