Andrea Gioia, pilot me 15 mijë kilometra eksperiencë dhe i punësuar nga viti 1989, do të ketë detyrën jo të lehtë të mbyllë një kapitull të historisë së aeronautikës.
Fluturimi AZ1586 nga Cagliari në Romë do të jetë ai i fundit për kompaninë shtetërore italiane, Alitalia, duke përmbyllur një histori të filluar në shtatorin e vitit 1946, fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rrëzimit të regjimit fashist.
Alitalia, kompani që deri në 2018 ishte e 12-ta në kontinent, do të mbyllë zyrtarisht operimin pikërisht ditën e sotme, për t’i lënë vendin një kompanie absolutisht më e vogël, një startup që për momentin ka emrin ITA. Për momentin, sepse kompania po diskuton me shtetin italian mundësinë e shitjes së emrit, edhe pse palët janë ende larg, nga momenti që vlerësohet në rreth 290 milionë euro.
Ndërkohë, ai emër do të vijojë përkohësisht edhe me kompaninë e re, për arsye praktike. Vetëm heqja dhe zëvendësimi i emrit në çdo aeroport dhe material, do të shpenzoheshin rreth 80 milionë euro.
ITA, edhe me emrin e vjetër, sërish do të jetë shumë ndryshe, me një flotë të reduktuar, dhe destinacione të kufizuara jashtë Italisë.
Menaxhimi i keq dhe borxhet e trashëguara ndër dekada janë padyshim shkaqet më domethënëse, të cilëve i bashkohet gjithsesi edhe një aspekt teknik, që lidhet me ndryshimin e transportit në vendin fqinj.
Rritja e trenit me shpejtësi të lartë ka përgjysmuar destinacionet kryesore të Alitalia në vend, veçanërisht atë Roma – Milano që përfaqësonte një nga asetet më të rëndësishme. Tashmë për 2 orë dhe 30 minuta arrihet në destinacion me tren, pa transferimet e bezdisshme nga qendra për në periferinë e qyteteve ku ndodhen aeroportet, pa masat e sigurisë, pa limitet e kileve në bord.