BRUKSEL, 9 mars /ATSH-DPA/- Pas një pushimi prej disa javësh, negociatorët nga Suedia, Finlanda dhe Turqia u takuan sërish dje në Bruksel, konfirmoi sot NATO në një deklaratë për shtyp.
“Finlanda dhe Suedia kanë ndërmarrë hapa të paprecedentë për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë”, tha sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Tani është koha që të gjithë anëtarët të ratifikojnë pranimin e Suedisë dhe Finlandës përpara samitit të NATO-s në korrik”, tha Stoltenberg.
Turqia dhe Hungaria janë dy vendet e fundit nga 30 aleatët që ende duhet të miratojnë zgjerimin verior të NATO-s.
Pas disa dekadash neutraliteti, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim majin e kaluar pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Ndërsa Hungaria pritet të japë miratimin e saj së shpejti, Turqia ka bllokuar negociatat e pranimit të të dy vendeve pasi akuzon Suedinë për marrjen e masave të pamjaftueshme kundër organizatave terroriste. Shqetësimi kryesor i Ankarasë është Partia e ndaluar e Punëtorëve Kurdë PKK.//a.i/