Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) pretendojnë se Hamas, të cilën e konsiderojnë si një organizatë terroriste, përdor banorë
e Rripit të Gazës si mburoja njerëzore, duke vendosur komandën e saj dhe infrastrukturën ushtarake në zona të banuara, spitale, xhami dhe shkolla.
Sipas IDF, Hamasi i kthen vendet civile në objektiva ushtarake ndërsa përdor civilët dhe objektet civile si mburojë njerëzore. Po ashtu IDF pretendon se që nga fillimi i luftës, forcat izraelite kanë përdorur mjete të ndryshme për të shmangur dëmtimin e civilëve në Rripin e Gazës. Kjo përfshin dërgimin e mesazheve dhe njoftimeve për banorët e Gazës duke u bërë thirrje atyre që të evakuohen nga zona specifike që përdoren nga Hamasi për aktivitete terroriste dhe thirrje që ata të evakuohen përgjatë rrugëve përkatëse.
Në përgatitje për fazën tjetër të luftës, IDF po publikon Hartën e Zonës së Evakuimit në Rripin e Gazës. Kjo e ndan territorin e Rripit të Gazës në disa zona për t’u mundësuar banorëve të Gazës të orientohen dhe të kuptojnë udhëzimet dhe të evakuohen nga vendet specifike për sigurinë e tyre nëse kërkohet.
Një hartë interaktive që u publikua tregon numrat e zonave në veri dhe jug të Rripit të Gazës, duke u bërë thirrje banorëve që të lokalizojnë zonën përkatëse dhe të veprojnë nëse u kërkohet të evakuohen prej saj. Harta u publikua në një faqe të veçantë, në faqen e IDF në arabisht dhe në një video speciale të publikuar nga zëdhënësi i IDF në arabisht në rrjetet sociale. Për më tepër, harta u publikua në njoftimet e shpërndara nga IDF në Rripin e Gazës.