Parlamenti i Francës miratoi ditën e djeshme ligjin që ndalon njerëzit e pavaksinuar të frekuentojnë restorantet, arenat sportive dhe ambientet e tjera të mbyllura me 215 vota pro dhe 58 kundër. Ky ligj është një nga përpjekjet e qeverisë për të ulur numrin e pacientëve të shtruar në spitale për shkak të variantit shumë ngjitës Omicron.
Më shumë se 91% e të rriturve francezë janë plotësisht të vaksinuar dhe disa kritikë kanë vënë në dyshim nëse ky ligj do të bëjë shumë ndryshim.
Qeveria e Macron shpreson se kjo masë do të jetë e mjaftueshme për të kufizuar numrin e pacientëve që mbushin spitalet në mbarë vendin, pa iu drejtuar një bllokimi të ri.
Masat e reja të izolimit do t’i jepnin një goditje tjetër ekonomisë, dhe gjithashtu mund të ulin shanset e Macron për t’u rizgjedhur në votimet presidenciale të 10 prillit.
Deri më tani, në Francë është kërkuar një leje kalimi për COVID-19 për të shkuar në restorante, kinema, muze dhe shumë vende në të gjithë vendin, por personat e pavaksinuar janë lejuar të hyjnë nëse tregojnë një test negativ të orëve të fundit.
Me ligjin e ri për vende të tilla si pikat turistike, shumë trena dhe për të gjitha fluturimet e brendshme, kërkohet vaksinim i plotë dhe zbatohet për të gjithë ata që janë 16 vjeç e lart.
Disa përjashtime mund të bëhen për ata që së fundmi janë shëruar nga COVID-19. Ligji ashpërson edhe gjobat për falsifikimin e certifikatës së vaksinimit dhe lejon kontrollet e identitetit për të shmangur mashtrimin.
Më shumë se 76% e kapacitetit të spitaleve franceze janë të zëna nga pacientë me virus, shumica e tyre të pavaksinuar. Ashtu si shumë vende, Franca është nën kontrollin e variantit Omicron.