Me sa duket Pixel Watch është një produkt mjaft i suksesshëm për Google, pasi ka bërë që kompania të renditet në vendin e dytë për sa i përket tregut të aksesorëve smart në mbarë botën. Normalisht lista kryesohet nga Apple, megjithatë Google ka lënë pas kompani të tjera shumë të përfshira në tregun e aksesorëve smart si Samsung, Huawei dhe Xiaomi.
Sipas një raporti të ri nga Canalys, Google arriti të renditej të vendin e dytë gjatë Q4 2022 në kategorinë “wearable band” të tregut. Në këtë kategori përfshihen smartwatches, orat bazike ose ato të fokusuara në aktivitetet sportive nga të gjitha kompanitë. Falë Pixel Watch, Google arriti të tërhiqte 8% të tregut në Q4 2022.
Apple kontrollon 27.5% të tregut “wearable band”, ndërkohë që Samsung kontrollon 5.9%të tregut dhe renditet në vendin e 5-të në listë.
Gjatë Q4 2022 Google shiti 880,000 Pixel Watches, të cilat përbëjnë 22% të shitjeve totale të aksesorëve smart nga ana e kompanisë, pasi Google ka në pronësinë e saj dhe produkte si Fitbit Sense, Versa dheInspire. Duhet përmendur gjithashtu se 880,000 pajisjet Pixel Watch janë shitur vetëm në 9 shtete, ndërkohë që Apple shet aksesorët e saj smart në 60 shtete të ndryshme.