Qeveria britanike ka prezantuar një sërë masash të reja të cilat sipas saj do të çojnë në reduktimin më të madh të kuotave të azilkërkuesve. Ka qenë sekretari i Punëve të Brendshme, James Cleverly që ka njoftuar planin 5-pikësh për emigracionin, që sipas tij “është rritur tej mase”. Ndryshimet përfshijnë rritjen e rrogës minimale që duhet për punëtorët e huaj nga 26 mijë e 200 stërlina në vit në 38 mijë e 700.
Cleverly ka deklaruar se 300 mijë persona që kishin të drejtë të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar nuk do ta kenë më këtë mundësi në të ardhmen.
Gjithashtu, niveli i të ardhurave minimale për ofrimin e vizave familjare është rritur në 38 mijë e 700 stërlina.
Në një fjalim përpara ligjvënësve, sekretari i Brendshëm ka nënvizuar se emigracioni në Britaninë e Madhe duhet të fillojë të ulet dhe ka shtuar se ka pasur një abuzim me dhënien e vizave për vite me radhë.
“Mjaft është mjaft. Politikat për emigracionin duhet të jenë të drejta, të ligjshme dhe të përballueshme”, ka thënë Cleverly.
Plani vjen pasi shifrat zyrtare të muajit të kaluar treguan se kuota e emigracionit kishte arritur një rekord prej 745 mijë njësish në 2022-shin.
Vetë ligjvënësit konservatorë kanë rritur presionin ndaj kryeministrit Sunak dhe qeverisë së tij që të reduktojë prurjet migratore.