Mesa duket, jemi më pranë jetës totalisht virtuale seç mendonim, sidomos pas prezantimit të metaverse dhe investimeve që shumë individë dhe kompani kanë bërë në këtë fushë që mendohet të jetë e ardhmja.
Këtë herë, Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook dhe kompanisë mëmë “Meta” ku përfshihet gjithashtu Instagram dhe Whatsapp, njoftoi se kompania e tij po planifikon të prezantojë NFT-të (Non fungible token – njësi unike të dhënash që nuk mund të kopjohen) në Instagram në një kohë të afërt. CEO dhe themeluesi i Meta-s nuk tregoi shumë detaje, por tha se kjo mund të ndodhë shumë shpejt, sapo ekipi të rregullojë disa probleme teknike.
Në një bisedë me Daymond John të “Shark Tank”, Zuckerberg tha: “Unë nuk jam gati të njoftoj saktësisht një datë, por është e sigurt që do ndodhë gjatë këtyre muajve të ardhshëm. Mendojmë dhe shpresojmë se me kalimin e kohës, kjo mundësi do të sjellë gjëra shumë të bukura në këtë platformë”.
Ndërkohë, Adam Mosseri, kreu i Departamentit të Programimit të Instagramit shkroi në një postim: “Unë mendoj se Instagrami është një vend interesant ku mund të luajmë dhe gjithashtu të shpresojmë të ndihmojmë krijuesit, pasi si platformë ka më tepër se 1 miliard përdorues aktivë dhe ka mundësi pafund për shitësit edhe blerësit”.
NFT janë njësi unike të të dhënave të ruajtura në një libër dixhital. NFT-të transformojnë veprat dixhitale të artit dhe koleksione të tjera në asete unike, të verifikueshme që janë të lehta për t’u tregtuar në blockchain.