TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Pas një periudhe të gjatë pauze në aktivitetin e tij artistik, Teatri Kombëtar u rikthye në skenë me shfaqjen “Ferma e Kafshëve”.
George Orwell është autori i kësaj vepre që erdhi në skenë me regji të regjisores së mirënjohur të teatrit “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, Driada Dervishi dhe me interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar si, Neritan Liçaj, Hervin Culi, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Dori Caushi, Xhuliano Brisku, Urim Aliaj dhe Bojken Lako.
Kjo shfaqje erdhi për publikun në Amfiteatrin e liqenit artificial të Tiranës për katër netë me radhë në datat 12, 13, 14 dhe 15 korrik dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm ç’ka tregonte hapur edhe dëshirën e publikut për të ndjekur teatër, por dhe se sa i kishte munguar publikut për një kohe kaq të gjatë.
Teatri Kombëtar gjithashtu ka bërë me dije se pas suksesit që pati kjo shfaqe, rikthimi i saj në skenë do të jetë sërish për publikun në muajin shtator.