Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyne, tha më 24 nëntor se rritja e dhunës nga ekstremistët në
Bregun Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli, duhet të ndalet.
Dhuna nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor është rritur që nga 7 tetori, kur Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit. Ne duhet të parandalojmë që dhuna të përhapet, prandaj një bashkëjetesë paqësore është e mundshme vetëm përmes zgjidhjes me dy shtete”, tha Von der Leyen gjatë një konference për media në Kanada, së bashku me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.
Populli palestinez dhe fqinjët arabë kanë nevojë që të sigurohen se nuk do të zhvendosje të dhunshme, por një perspektivë të qëndrueshme, me një shtet të pavarur palestinez – me ribashkimin e Gazës dhe Bregut Perëndimor – dhe të qeverisur nga Autoriteti Palestinez i reformuar. Dhe për këtë qëllim, dhuna e papranueshme e ekstremistëve në Bregun Perëndimor duhet të ndalet”, shtoi ajo.
Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden, tha po ashtu se SHBA-ja është e gatshme të vendosë ndalesa të vizave kundër “ekstremistëve” që sulmojnë civilët në Bregun Perëndimor.
Po ashtu, sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron, i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë, atë që ai e cilësoi si “dhunë krejtësisht të papranueshme” nga kolonët në Bregun Perëndimor.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, që palestinezët duan që të jetë pjesë thelbësore e shtetit të tyre të ardhshëm, në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Që atëherë, atje janë ndërtuar vendbanime hebreje, që shumë shtete i konsiderojnë ilegale. Izraeli hedh poshtë këto pretendime dhe thotë se me këtë territor ka lidhje historike dhe biblike.
Bregu Perëndimor është shtëpi e 3 milionë palestinezëve të cilët jetojnë në mesin e mbi gjysmë milion kolonëve hebrenj./risi3d.com