Në qytetin që jeton me artin, vera ka nisur ndryshe, me tingujt e shpirtit. MIK Festival, nën drejtimin artistik të sopranos së famshme Inva Mula, ka hapur siparin e edicionit të tij të 8-të, duke kthyer Korçën në një qendër të muzikës klasike, traditës dhe bashkëkohësisë.
Këtë vit, festivali vjen si një dedikim i veçantë për legjendën e skenës shqiptare, Gaqo Çako, duke sjellë në kujtesë elegancën, fisnikërinë dhe emocionin që ai i dha muzikës operistike. Një nderim i denjë, që do përkthehet në nota të skalitura me dashuri për trashëgiminë kulturore.
Por MIK nuk njeh kufij, artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, instrumentistë virtuozë, emra të njohur të baletit dhe muzikës klasike, do sjellin një maratonë të vërtetë emocionuese, nga sheshet historike të Korçës e deri në kishat dhe amfiteatrot e natyrës përreth.
Koncerti, i cili do të tregojë jetën artistike dhe personale të Gaqo Çakos, rikthen në skenën shqiptare pas më shumë se 30 vitesh artisten Tatjana Kora Elmazi, ndërsa pjesë e tij do të bëhen edhe emra, si: Kastriot Tusha, Gjergji Mani e Xhoiden Dervishi me të ftuar të veçantë Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura nën dirigjimin e Eno Koços, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Çakos.
“Ka pasur bashkëpunim shumë të madh sidomos me inçizimet që ka lënë Gaqo Çako. Unë madje mbaj mend kur Eno me insistimin e tij, bashkë me Gaqon arritën në kushte shumë të vështira, kur nuk gjendeshin as partiturat, të linin një bagazh të madh të veprave vokale.”, – thotë Inva Mula, drejtuese e festivalit.
Një tjetër koncert me rëndësi gjatë këtij edicioni do të jetë edhe ai që do të mbahet në Drenovë, i quajtur “Stili vjenez”. Ylli i këtij koncerti gala do të jetë balerini me famë botërore që interpreton në Operën e Vjenës, Eno Peçi, me në krah balerinën Adela Muçollari. Ata do të sjellin dy numra, i pari nga kompozitori Gustav Mahler dhe i dyti, që është dhe një surprizë e bukur, i quajtur “Gjaku vjenez” i mbretit të valseve, Johann Strauss.
MIK 2025 nuk është vetëm festival, është një rrëfim i gjallë që ndërthur të shkuarën me të tashmen, elegancën me shpirtin popullor, dhe tingujt me emocionin njerëzor. Korça për disa netë do jetë skena ku gjuha e vetme është ajo e muzikës – universale, e sinqertë, dhe e thellë.
Më shumë se një festival. Më shumë se art. MIK është një përqafim i shpirtit njerëzor përmes muzikës.