Olivia Rodrigo po tregon se nuk është thjesht një yll i muzikës pop, por edhe një lidere që kujdeset realisht për njerëzit që ka pranë. Gjatë turneut madhështor “Guts World Tour”, këngëtarja ka ofruar terapi falas për të gjithë anëtarët e bandës dhe stafit, një gjest që për shumë prej tyre ka bërë diferencën. Daisy Spencer, kitaristja e saj, ka rrëfyer në një intervistë se për herë të parë pas shumë vitesh është rikthyer në terapi, falë kësaj mbështetjeje nga Olivia. Ajo e quajti këtë mundësi një dhuratë të rrallë dhe vetë Olivian “punëdhënësen e ëndrrave”.
Ky turne që përfshin mbi 100 koncerte anembanë botës nuk është vetëm një maratonë muzikore, por edhe një shembull i kujdesit për mirëqenien mendore në një industri shpesh stresuese. Olivia, vajza e një terapisti, duket se ka trashëguar ndjeshmërinë për rëndësinë e balancës emocionale dhe e ka kthyer këtë në një prioritet për gjithë skuadrën e saj. Me veprime të tilla, ajo po vendos një standard të ri për mënyrën se si duhet të duket kujdesi i vërtetë në prapaskenë. Dhe po, është cool sa s’thuhet.