Facebook, Instagram dhe WhatsApp janë sërish aktive pas më shumë se gjashtë orësh “blackout” global, duke i lënë përdoruesit tërësisht pa asnjë lloj aksesi.
Disa nga shërbimet nuk janë ende plotësisht funksionale, për shembull, disa përdorues ende raportojnë probleme kur postojnë përmbajtje të reja në Instagram.
“Për gjithë komunitetin e madh të njerëzve dhe bizneseve në të gjithë botën që varen nga ne, na vjen keq,” u shpreh Facebook në një deklaratë. “Ne kemi punuar shumë për të rivendosur qasjen në aplikacionet dhe shërbimet tona dhe jemi të lumtur të raportojmë se ato po kthehen në internet tani. Faleminderit për durimin”.
Facebook nuk zbuloi se çfarë shkoi keq
Të tre platformat pushuan së punuari pak para mesditës, kur faqet e internetit dhe aplikacionet për shërbimet e Facebook nuk ishin të aksesueshme.
Raportet në DownDetector.com treguan se ndërprerjet ishin të përhapura kudo, por ishte e paqartë se sa përdorues nuk ishin në gjendje të hynin në këto aplikacione.
ThousandEyes, një shërbim i monitorimit të rrjetit në pronësi të Cisco, tha përmes një email-i se ndërprerja ishte rezultat i dështimit të DNS. DNS, shkurtimi i Domain Name System, është si një libër telefoni për faqet e internetit.
Ndërprerja shënoi periudhën më të gjatë të ndërprerjes për Facebook që nga viti 2008, kur një defekt e rrëzoi faqen për 24 orë, duke prekur rreth 80 milionë përdorues. Platforma aktualisht ka 3 miliardë përdorues.
Mike Schroepfer, shefi i teknologjisë në Facebook, kërkoi falje përmes një deklarate të postuar në Twitter.
“Ndjesë të sinqertë për të gjithë të prekurit nga ndërprerjet e shërbimeve që mundësohen nga Facebook” shkroi Schroepfer. “Ekipet po punojnë sa më shpejt që të jetë e mundur për të rivendosur normalitetin sa më shpejt që të jetë e mundur.”
Në vitin 2019, një ndërprerje e ngjashme zgjati rreth një orë. Facebook fajësoi një ndryshim të konfigurimit të serverit për atë ndërprerje. Ndërsa për atë që ndodhi ditën e djeshme, nuk ka asnjë shpjegim zyrtar. Majde ditën e djeshme edhe interneti pati probleme, ku shumë njerëz raportuan se nuk mund të përdornin as Google apo ëebe të tjera online.