BRUKSEL– Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave urgjente për shtendosje të situatës në Kosovë dhe e ka dënuar sulmin terrorist të tmerrshëm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Në lidhje me ngjarjet specifike të djeshme, nuk kam pse ta përsëris dënimin më të rëndë nga Bashkimi Evropian ndaj sulmeve të tmerrshme terroriste që ndodhën kundër anëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Stano në konferencë për media në Bruksel.
Ai përsëriti deklaratën e Përfaqësuesit të lartë të BE-së, të përcjellë edhe në telefonatat me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq, për dënimin e fuqishëm të sulmit “të tmerrshëm terrorist që u krye ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës.”
“Ne duhet të gjejmë një rrugë dalëse nga kriza e vazhdueshme dhe të kthehemi në binarët e zgjidhjes së problemit përmes dialogut. Shtendosja është e nevojshme urgjentisht sië është thënë edhe më heret sepse kishim një situatë të tensionuar edhe ditë më parë, edhe javë më parë edhe muaj më parë. Pra, BE ishte shumë e qartë kur bëhet fjalë për pritjet nga njëra palë dhe tjetra, cfarë duhet të bëjnë me qëllim që të kontribuojnë për shtendosje dhe të kthehen në rrugën e një dialogu normal kur s’kemi nevojë të merremi me krizat dhe situatat e rrezikshme siç i shohim tani. Dhe më pastaj ne mund t’iu ndihmojmë atyre që të ecin përpara drejt pajtimit dhe normalizimit”, tha ai.
Stano tha se BE-ja ashtu si ka vënë masat ndaj Kosovës do të shqyrtojë mundësinë edhe të masave ndaj Serbisë nëse e sheh të arsyeshme këtë gjë.
“BE-ja ka një qëndrim shumë të qartë. masat e vendosura ndaj Kosovës dhe sërish këto nuk janë sanksione dhe ne nuk e përdorim këtë terminologji, pra këto masa janë vensdosur për shkak të paaftësisë së njërës palë që të përmbushë pritjet për shtendosje. E kemi thënë që nga fillimi dhe BE-ja ishte e qartë që nga fillimi, se këto masa janë të përkohshme dhe ato mund ose të zvogëlohen, varësisht nga zhvillimet në terrren, ose të rriten. Aktualisht ato i janë vendosur Kosovës dhe është thënë qartë se nëse BE-ja sheh arsye ato mund t’i vendosen edhe Serbisë”, tha ai.
Stanoja tha se BE-ja ka qenë shumë e qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja palët për të kontribuar në depërshkallëizm e drejt rrugës për pajtim e normalizim marrëdhëniesh.