Gjermania ka reaguar ndaj raportimeve të mediave për një tentativë të supozuar të dështuar për vrasje kundër një prej tregtarëve më të mëdhenj të armëve të Ukrainës në Gjermani.
Berlini tha se “nuk do të frikësohej” nga përpjekjet ruse për të minuar mbështetjen e vendit ndaj Ukrainës, por refuzoi të komentojë një raport të medias se Moska planifikoi të vriste shefin ekzekutiv të një kompanie kryesore të mbrojtjes.
Rrjeti amerikan CNN raportoi pak ditë më parë se Rusia planifikoi të vriste CEO-n gjerman të një furnizuesi kryesor të teknologjisë ushtarake dhe artilerisë për Ukrainën, Armin Papperger.
Media raportoi se SHBA informoi Gjermaninë, shërbimet e sigurisë të cilët arritën të prishnin komplotin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjermane tha se ministria e tij nuk mund të komentojë mbi “situatat e kërcënimit individual”, por shtoi se ata e marrin seriozisht kërcënimin e rritur nga agresioni rus.
“Ne e dimë se regjimi i Putinit dëshiron mbi të gjitha të minojë mbështetjen tonë për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër luftës së agresionit rus, por qeveria gjermane nuk do të frikësohet”, tha zyrtari.
Ai vuri në dukje se masat gjermane të sigurisë janë rritur ndjeshëm që nga viti 2022 dhe se “kërcënimet variojnë nga spiunazhi dhe sabotimi, përmes sulmeve kibernetike, te terrorizmi shtetëror”.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë raportin e medias amerikane për atentat.
“E gjithë kjo është paraqitur sërish në stilin e rremë, kështu që raporte të tilla nuk mund të merren seriozisht,” u tha ai gazetarëve.