Eurojust ka deklaruar se aktualisht nuk është në gjendje të japë detaje mbi përmbajtjen e mesazheve të deshifruara nga platforma Matrix, profilet e përdoruesve apo hetimet që mund të pasojnë. Autoritetet ndërkombëtare kanë bërë një tjetër hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, duke çmontuar një platformë të sofistikuar të mesazheve të koduara të njohur si MATRIX.
Kjo platformë, e njohur gjithashtu me emrat Mactrix, Totalsec, X-quantum dhe Q-safe, ishte projektuar nga kriminelët për t’u përdorur ekskluzivisht në botën e krimit, duke ofruar një shkallë të lartë sigurie dhe anonimiteti.
Gjatë operacionit, autoritetet franceze dhe holandeze, me mbështetjen e Europol-it dhe Eurojust-it, arritën të deshifrojnë mbi 2.3 milionë mesazhe të shkëmbyera nga përdoruesit e platformës.
Këto mesazhe, që përfshinin komunikime në 33 gjuhë të ndryshme, përfshinin edhe gjuhën shqipe, sipas një konfirmimi nga Europol për Albanian Post. Përfshirja e gjuhës shqipe nënkupton se ka gjasa të jenë identifikuar përdorues shqiptarë mes individëve që përdornin këtë shërbim për organizimin e aktiviteteve kriminale, të tilla si trafiku i drogës, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave.
Megjithatë, Eurojust, në një përgjigje për Albanian Post ka theksuar se, në këtë fazë, nuk mund të japë detaje mbi përmbajtjen e mesazheve, profilet e përdoruesve apo hetimet e mundshme që mund të pasojnë.
MATRIX u zbulua fillimisht nga autoritetet holandeze në një hetim që lidhej me vrasjen e një gazetari në Holandë në vitin 2021.
Platforma përbëhej nga më shumë se 40 serverë të shpërndarë në disa vende, me serverët kryesorë të vendosur në Francë dhe Gjermani. Struktura e saj teknike ishte më komplekse se platformat e mëparshme si Sky ECC dhe EncroChat, duke u ofruar përdoruesve një nivel të avancuar sigurie.
Përdoruesit mund t’i bashkoheshin vetëm me ftesë dhe përmes metodash të besueshme verifikimi, duke e bërë aksesin në MATRIX të kufizuar për një rrjet të zgjedhur përdoruesish. Autoritetet mundën të depërtonin në shërbimin e mesazheve dhe ta monitoronin atë për tre muaj, gjatë të cilëve u përgjuan mbi dy milionë mesazhe.
Pas çmontimit të platformës së mesazheve të koduara, autoritetet përdorën informacionin e mbledhur për të ndjekur kriminelët.
Kjo çoi në arrestimin e kriminelëve në Francë dhe Spanjë, krahas bastisjeve të shtëpive në Holandë dhe Lituani.
“Përmes kërkesave ligjore, autoritetet tani do të jenë në gjendje të aksesojnë mesazhet për hetimet e tyre”, ravijëzoi Europol.