James Bond është padyshim një ndër personazhet imagjinarë më të famshëm në historinë e kinemasë. Filma të shumtë dhe disa aktorë të ndryshëm kanë përjetësuar legjendën 007 ndër vite, përfshirë Sean Connery, Roger Moore, Pierce Brosnan. Daniel Craig është ylli i fundit që ka interpretuar Bond-in për gati 15 vjet.
Por ai befasoi fansat kur zbuloi se fillimisht nuk donte të interpretonte këtë karakter. Ylli britanik bëri debutimin me këtë rol në 2006 dhe për herë të fundit do të shfaqet në “No Time To Die”, i cili pritet të dalë në tetor. Kur prodhuesit i ofruan këtë rol, Daniel nguroi të shfrytëzonte mundësinë që padyshim, vjen një herë në jetë.
Craig ishte i shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të kishte për familjen e tij. Sipas John Maybury, ishte një zgjedhje shumë e komplikuar për të, duke shpjeguar se në atë kohë vajza e tij ishte ndoshta 12 vjeç. “Kishte implikime si në jetën personale ashtu edhe në fushën e tij profesionale. Nuk mendoj se dikush mund të përgatitet për realitetin e famës derisa ta përjetojë atë. Por ajo që i thamë ishte: “Ka jetë pas Bondit”.