Italia është në bisedime me autoritetet e Bashkimit Europian për të siguruar të paktën 6 miliardë euro nga i ashtuquajturi plan REPowerEU për t’u shkëputur plotësisht nga gazi rus dhe për të shtuar përpjekjet për ta bërë ekonominë e saj më të gjelbër.
Qeveria italiane kërkon gjithashtu më shumë kohë për të shpenzuar rreth 200 miliardë euro në grante dhe kredi të lira që duhen ‘likujduar’ deri në vitin 2026, nga Fondi i Rimëkëmbjes së BE-së pas COVID-19. Lajmi u konfirmua për agjencinë e lajmeve Reuters nga dy zyrtarë të afërt me këtë çështje.
Me synimin për t’i dhënë fund varësisë së BE-së nga karburantet fosile ruse dhe për të trajtuar krizën klimatike, REPowerEU financohet përmes rreth 225 miliardë eurove të kredive të pashfrytëzuara të vëna në dispozicion sipas planit të rimëkëmbjes së BE-së të nisur në 2021 – shin.
Burimet shtesë do të rrjedhin nga fondet e kohezionit dhe shitja e lejeve të Sistemit të Tregtimit të Emisioneve të BE-së – ETS – të cilat detyrojnë prodhuesit, kompanitë e energjisë dhe linjat ajrore të blejnë licensa për të mbuluar çdo ton dioksid karboni që emetojnë.
Italia beson se mund të marrë të paktën 2.7 miliardë euro nga burimet ETS dhe 3 miliardë euro nga fondet e kohezionit, theksoi një nga burimet.
Administrata e kryeministres Giorgia Meloni planifikon të përfundojë bisedimet me Brukselin mbi përdorimin e propozuar të Romës të fondeve të BE deri në fund të prillit. Një pjesë e fondeve mund t’i kushtohet ndërtimit të një lidhjeje për të sjellë hidrogjenin që do të prodhohej në Afrikën e Veriut në Europën Veriore.
Dorina Kurtaj / SCAN