Ndërveprimi i prindërve me fëmijët përgjatë fëmijërisë, ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tyre.
Mënyra se sa kohë cilësore kalojmë me ta, do përforcojë qëndrime dhe sjellje të caktuara të cilat do i mbartin me vete në vitet në vazhdim. Koha që prindërit kalojnë me fëmijët është një formë e të shprehurit të dashurisë dhe rëndësisë që ato kanë për ne.
Në një studim të G. Elliot ne Brown University, tregohet se fëmijët të cilët kanë besimin që ato janë të rëndësishëm për familjet e tyre, kanë më pak gjasa të përfshihen në sjellje agresive.
Të treguarit e dashurisë vlerësimit, dhe rëndësië, ndihmon që fëmijët të jenë mendërisht dhe emocionalisht më të fortë. Për çdo prind, mënyra me e mirë për ta bërë këtë është duke ndarë kohë me fëmijët e tyre, duke ndërtuar marrëdhënie pozitive me ta, që do i shërbejnë fëmijës për një zhvillim normal.
Por çfarë përkufizohet si kohë cilësore?!
Për të qenë e frutshme koha që ndani me fëmijët tuaj, studimet tregojnë se, së pari në çdo gjë që bëni ju duhet ta shijoni po aq sa ata! Përpos këtij elementi kyç ndërveprimi me ta duhet të shoqërohet me dëgjim aktiv, mbështetje, komunikim dhe vëzhgim. Marrëdhënia prind-fëmijë nuk krijohet vetvetiu, por ndodh duke investuar kohë, duke i njohur fëmijët nga afër në çdo stad të zhvillimit të tyre. Duke qenë se gjetja e kohës, sot, është bërë sfidë me vete, më poshtë do listoj disa forma të cilat mund t’i aplikoni me fëmijët tuaj për një kohë më personale dhe cilësore me ta.
E di që duket e thjeshtë, ju mund t’i çoni ata çdo ditë në park, por a bëheni pjesë e lojës? Nga eksperienca personale kam vënë re që kur unë dhe bashkëshorti futemi në lojë, dinamikat janë krejt ndryshe nesë fëmijët do luajnë vetëm me njëri-tjetrin. Kjo krijon një atmosferë më harmonike edhe pasi kthehemi në shtëpi, ato dëgjojne dhe i bëjnë detyrat më lehtësisht. Kjo mbështetet edhe në librin “Shkenca e Prindërimit” të autores Margot Sunderland, ku thuhet se loja ndërvepruese dhe lidhja që krijojmë me fëmijët tanë, i ndihmon këto të fundit të mësojnë të kontrollojnë emicionet e tyre më mirë, dhe të kenë nivele stresi të ulët.
Vendosni një kohë përgjatë javës, ku të bëni një aktivitet ose lojë të cilën do e zgjedhë fëmija juaj. Si mama me kohë të plotë jam gjithmonë duke menduar për ide të reja në punë dorë, si të vizatojmë, si të shkruajmë një libër kujtimesh.
Por ajo çfarë i dha vlerë kohës time me ta ishte pikërisht fakti që ato mund të zgjidhnin çfarë donin të bënin. Ka gjasa që aktiviteti t’ju duket qesharak, e mund t’ju duhet të bëni gjëra që vetë s’do i kishit menduar. Mundohuni ta respektoni këtë kohë dhe t’i jepni fëmijës vëmendjen tuaj të plotë.
Koha që ju si prindër kaloni me fëmijët tuaj është e lidhur ngushtë me zhvilimmin konjitiv , social, dhe emocional të tyre.( ref. “ Prind -fëmijë lojë imagjinare dhe fizike me to” nga Lindsey EW).
Por jo vetëm, studimet tregojnë që kjo kohë ka përfitime shëndetësore dhe për prindërit, duke i zhveshur ato nga roli tradicional i prindërimit, e duke u bërë një me fëmijën.
Bazuar në benefitet e vëna re tek fëmija dhe prindi, psikologët këshillojnë që të gjeni kohë për ta, mos lini kohën të kalojë që pas disa vitesh të gjeni përpara jush individë të cilët si njihni.