Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se në ditët e ardhshme pritet të shpallet një datë e armëpushimit në Ukrainë. ndërkohë që po shqyrtohen edhe garancitë e sigurisë për Kievin. Duke iu referuar planeve për paqe që lidhen me administratën e ardhshme të Donald Trump, Tusk ka shpjeguar se çdo propozimi është ende në fazën përgatitore dhe nuk përfshin detaje konkrete për një zgjidhje të menjëhershme.
Tusk ka nënvizuar rëndësinë që çdo vendim për Ukrainën të merret duke përfshirë në proces të gjitha palët, veçanërisht popullin ukrainas dhe vendet e prekura, si Polonia dhe shtete të tjera në rajon. Sipas tij, angazhimi i SHBA-së për një ulje të ndërhyrjes direkte në çështjet e Ukrainës do të ndikojë mbi mënyrën si do të ndërtohet paqja dhe siguria.
Lajmi vjen në një moment kur Pentagoni ka njoftuar se Ukraina nuk do të marrë furnizimin e parashikuar të sistemeve të avancuara raketore ATACMS, një sistem mbrojtjeje që Kievi e konsideron si një mjet kyç për të mbrojtur territorin e tij. Ndërkohë, Ëall Street Journal raportoi se Elon Musk, në rolin e tij si këshilltar i besuar i presidentit të zgjedhur Donald Trump, ka marrë pjesë në një telefonatë mes Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Musk ka garantuar mbështetjen e tij për Ukrainën përmes rrjetit të satelitëve Starlink, të cilët janë jetikë për komunikimet ukrainase në zonat e luftës. Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se Italia do të qëndrojë përkrah Ukrainës për aq kohë sa konflikti me Rusinë do të vazhdojë.