Gjermania mbështet fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë, duhet t’i përmbushë të gjitha detyrimet, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës, ka deklaruar të enjten në Shkup, ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ajo tha se kompromiset janë të rënda, por janë mënyra më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë, duke theksuar se “e keni fjalën se Bashkimi Evropian nuk do t’ju lërë në baltë”.
Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimin e Kushtetutës së saj për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, bazuar në marrëveshjen me Bullgarinë që ishte arritur me ndërmjetësimin e Francës, në qershor në vitit 2022.
Ndërkombëtarët i bëjnë thirrje Shkupit ta ndryshojë Kushtetutën
Politika maqedonase mbetet e përçarë në procesin integrues
Shkupi nis debatin për ndryshimet kushtetuese, opozita me kushtëzimeë
Shefja e diplomacisë gjermane tha se ndryshimi i Kushtetutës i hap rrugë vazhdimit të bisedimeve me BE-në për anëtarësim të plotë në union.
“Kushtetuta është diçka që nuk ndryshon shpesh, prandaj e kuptoj debatin që ekziston në shoqërinë tuaj, veçanërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe gjuhën tuaj. Me vendimin për hapjen e Kushtetutës, mund të fillojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në gjashtë muajt në vijim do të dëshmojmë se qëndrojmë pas fjalëve tona. E keni fjalën time, BE-ja nuk do t’ju lërë në baltë. Maqedonia e Veriut i takon BE-së, andaj së bashku do ta bëjmë këtë rrugë”, deklaroi Baerbock. /REL