TIRANE, 12 shtator/ATSH/ Nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Bashkim Fino”, në njësinë 2 në Tiranë dhe “Andrea Stefani” në zonën e Astirit dhe Doganës, nisën sot mësimin në ambiente të reja.
Këto shkolla u ndërtuan nga fillimi për nxënësit e këtyre zonave, me financim të qeverisë në kuadër të projektit të rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019.
Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino” ka një kapacitet për 1100 nxënës, plus 150 parashkollorë, praktikisht është zgjidhur jo vetëm problemi i të kaluarës dhe i të tashmes, por edhe i të ardhmes.
Shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani” priti këtë vit shkollor 900 nxënës. Shkolla e re ka jo vetëm mjedise tepër estetike, por njëkohësisht edhe mjaft moderne, duke plotësuar të gjithë standardet evropiane, që nga numri i nxënësve nëpër klasa, laboratorë e gjer te terrenet sportive dhe hapësirat e jashtme, që mund të përdoren dhe nga komuniteti.
Shkollat e reja, me kushte dinjitoze dhe infrastrukturë bashkëkohore janë kthyer tashmë në realitetin më të ri në shumë prej zonave, ku tërmeti shkaktoi dëme të rënda, falë Programit të Rindërtimit.