Lajmet e rreme apo ‘Fake News’ siç njihet termi për to, nuk janë asgjë e re. Lajmet e rreme kanë qenë gjithnjë rreth neve, madje të tilla lajme mendohet që ekzistojnë që nga shpikja e shtypshkronjës, atë botë kur edhe është filluar të shkruhet masivisht. ‘Fake News’ mori kuptimin e plotë me ardhjen e rrjeteve sociale të cilat po mundësojnë shpërndarjen e lajmeve të rreme si kurrë më parë.
Lajmet e rreme në kuptimin më të thjeshtë janë informacione jo të sakta që synojnë të mashtrojnë dhe të luajnë me ndjenjat e një audience të caktuar.
Mediat parasëgjithash janë biznese, dhe si të tilla ato zbatojnë agjenda dhe interesa të grupeve të caktuara. Kështu, media shumë herë bëhet argat i tyre duke keqinformuar publikun. Andaj, në këto rrethana, e gjitha çfarë mund të bëhet, është të vihet kritika tek përmbajtja mediale dhe të luftohen lajmet e rreme.
Studiues të shumtë e institute të ndryshme të mediave në mbarë botën kanë përgatitur disa hapa konkret sesi të ruhemi nga lajmet e rreme që mund të vijnë te ne në çdo kohë e në forma të ndryshme. Por, fillimisht të shohim sesi lajmet e rreme vijnë deri tek ne?!
Siç thamë më lartë, lajmet e rreme ekzistojnë pothuajse prej që ekziston vetë bërja e gazetarisë apo shpërndarja e informacioneve. Sot, termi ‘Fake News’ ka marrë vëmendjen vetëm për shkak të rrjeteve sociale të cilat arrijnë të shpërndajnë informacionet, të vërteta dhe ato të pavërteta, në një kohë shumë të shkurtër anembanë botës. Kujtojmë zgjedhjet e fundit presidenciale në ShBA: mendohet që fitorja e presidentit Donald Trump u arrit pikërisht nga lajmet e rreme të cilat u shpërndanë nga rrjetet sociale.
Dukuria e ‘Fake News’ vjen në shprehje në kohë fushatash elektorale, kur grupet e ndryshme politike shfrytëzojnë hapësirat që ofrojnë rrjetet sociale për të shpërndarë informacione që mund të dëmtojnë një palë të kundërt. Si duket, kësaj forme po i vjen fundi, sepse rrjetet sociale siç është ‘Facebook’ ka filluar filtrimin e informacioneve që shpërndahen nga ky rrjetet shoqërorë. Megjithëse, dëmet që kanë ardhur nga kjo formë e shpërndarjes së informacioneve mund të konsiderohen mjaftë të mëdha deri më tani.
Në vendet ku përdoret interneti shumë, dhe për më tepër ku rrjetet sociale kanë një shtrirje të madhe, siç është vendi ynë, shpërndarja e informacioneve jo të sakta, është potencialisht e madhe. Sipas statistikave, në Kosovë ka mbi 1 milion përdorues aktiv të ‘Facebook-ut’, ndërsa mbi gjysmë milioni kosovarë përdorin rrjetin tjetër shoqëror ‘Instagram’. Këto shifra flasin për një mundësi të madhe për shpërndarjen e informacioneve tek një audiencë e caktuar.
Si t’i shmangim lajmet e rreme?
Përderisa vetë interneti konsiderohet si një hapësirë e lirë për tu shfrytëzuar nga njerëzit pa pengesë, stopimi i shpërndarjes së informacioneve në çfarë do forme, mund të konsiderohet si pengesë e lirisë së shprehjes. E meqë kjo formë nuk duhet ndodhë në vendet demokratike, e vetmja mënyrë që t’i shmangim lajmet e rreme është të dimë si të mbrohemi nga to. Më poshtë janë listuar disa këshilla të cilat i rekomandojnë edhe studiues të mediave se si të mbrohemi nga ‘Fake News’.
– Shqyrtojeni burimin e informacionit: Shiko për sfondin ose historinë e tregimit dhe vendin e ngjarjes;
– Kush është autori i lajmit: Bëjeni një kërkim të shpejtë për autorin, a është i besueshëm a është i vërtetë ai;
– Shiko datën e publikimit të lajmit: Nëse lajmi është i vjetër, ai nuk është i rëndësishëm për ngjarjet aktuale;
– Lexo të gjithë lajmin/ raportin: Shpesh ne lexojmë vetëm titujt e lajmeve?! Por, titujt dhe nëntitujt mund të jenë mashtrues, shiko ngjarjen komplet siç është pasqyruar;
– Kontrollo burimet e informacionit: Shqyrto burimet mbështetëse, sa është mbështetur rrëfimi/ tregimi mbi ato burime;
– A është lajmi me përmbajtje satirike: Në ditët e sotme, ueb faqet me përmbajtje satirike janë shtuar, kujdes mos bini preh e tyre;
– Pyet njohësit e fushës: Në fund, para se ta marrësh një lajm si të mirëqenë, por për të cilin nuk je i sigurt, atëherë pyet ekspertet e asaj fushe për të cilën ke lexuar.
Këto janë vetëm disa prej sugjerimeve që jepen për tu mbrojtur nga lajmet e rreme. Ndërsa për të identifikuar me kohë të gjitha lajmet e padobishme apo tendencioze, në vende të ndryshme të botës praktikohet lënda mësimore mbi Edukimin medial. Madje, kjo lëndë tashmë është duke u aplikuar edhe në vendet e rajonit, siç është Shqipëria. Edukimi medial do të ndihmonte të rinjtë, në shkollat fillore dhe të mesme, që të vetëdijesohen dhe të konsumojnë informacionet e dobishme dhe në të njëjtën kohë të mos bien preh e lajmeve të rreme që mund të vijnë në forma të ndryshme.