Temperatura te fëmijët mund të jetë një ndër simptomat më të frikshme për prindërit, sidomos nëse temperatura është e lartë dhe fëmijët janë ende shumë të vegjël.
Në këtë artikull do të mësoni se çfarë mund ta shkaktojë temperaturën te fëmijët e vegjël dhe çfarë duhet të bëni në këto raste.
Çfarë e shkakton temperaturën te fëmijët?
Temperatura nuk është një sëmundje – është një simptomë e një sëmundjeje. Ajo tregon se trupi është duke luftuar sëmundjen dhe se sistemi imunitar po funksionon. Nëse fëmija juaj është me temperaturë, në shumicën e rasteve do të thotë se mund të “jetë ftohur” ose të ketë marrë një infeksion viral. Edhe pse më rrallë, temperatura në fëmijë të vegjël mund të jetë si pasojë e penumonisë, infeksioneve urinare, infeksioneve të veshit ose infeksione më të rënda në gjak apo si pasojë e meningjitit.
Shkaqe te tjera të temperaturës mund të jenë:
– Vaksinimi.
– Nxehja nga veshjet e tepërta ose qëndrimi i gjatë jashtë në një ditë të nxehtë.
Temperatura në fëmijë vërehet kur prekim ballin e tyre por edhe nëse fëmija nuk e ka ballin e nxehtë jo gjithmonë do të thotë se nuk ka temperaturë. Po ashtu, fëmija me temperaturë mund të jetë i irrituar dhe më shumë i bezdisur nga zakonisht.
Simptoma të tjera me të cilat mund të shoqërohet temperatura janë:
– Pagjumësi
– Mungesë oreksi
– Mungesa e interesit në lojra
– Fëmija nuk është aktiv ose mund të duket letargjik
– Atake konvulsive