Ka humbur jetën në rrethana misterioze drejtori i përgjithshëm i Korporatës Ruse për Lindjen e Largët dhe Zhvillimin e Arktikut, Ivan Pechorin. 39-vjeçari ishte një nga menaxherët më të afërt të Presidentit rus, Vladimir Putin. Ai u gjet i pajetë në ishullin Russky, në Detin e Japonisë.
Disa media online, duke përfshirë faqen e opozitës bjelloruse Nexta raportojnë se ai u rrëzua nga një jaht pasi e kishte tepruar me konsumimin e alkoolit. Në versionin zyrtar thuhet se Pechorin, i cili drejtonte gjigantin e energjisë ruse, kishte marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Lindjes, të kryesuar nga Vladimir Putin në Vladivostok.
Shkaku zyrtar është rënia në det nga jahti i tij me vela. Trupi u gjet në det të hënën më 13 shtator. “Vdekja e Ivanit është një humbje e pariparueshme për miqtë, kolegët dhe për grupin,” – shkroi Korporata e Zhvillimit të Lindjes së Largët dhe Arktikut (Erdc) në një shënim në faqen e saj të internetit.
Janë tashmë 13 oligarkë dhe menaxherë rusë që kanë ndërruar jetë në mënyrë misterioze që nga fillimi i këtij viti. I pari ishte Leonid Shulman, 60 vjeç, shef i shërbimit të transportit të Gazprom Invest. Ai u gjet i vdekur më 29 janar në banjën e vilës së tij në Leninsky. Pranë trupit kishte një shënim në të cilin ai ankohej për dhimbje nga një këmbë e thyer.
Më 25 shkurt, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë erdhi dhe rasti i dytë. Ai ishte Alexander Tyulyako, 61 vjeç, Zv.Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Gazprom. I varur në garazhin e vilës së tij edhe pranë tij kishte një shënim, por përmbajtja e të cilit nuk u bë e ditur.
Më 28 shkurt ndërroi jetë Michael Watford, 66 vjeç, emri i vërtetë i të cilit ishte Mikhail Tolstosheya, me origjinë ukrainase. Trupi i manjatit të energjisë u gjet në shtëpinë e tij në Surrey, në jugperëndim të Londrës. Vdekja u quajt “e pashpjegueshme” nga policia britanike.
Më 23 mars ishte radha e Vasily Melnikov. 43-vjeçari ishte pronar i MedStorm, një kompani furnizimesh mjekësore. Së bashku me trupin e tij u gjet edhe ai i gruas dhe dy fëmijëve, në banesën e tyre në Nizhny Novgorod. U tha se ai kishte kryer vetëvrasje pasi kishte vrarë familjen e tij.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Shekulli”
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.